“Nëse brenda dy jave nuk ka Qeveri të re – Kosova e humb mundësinë e anëtarësimit në KiE”

“Nëse brenda dy jave nuk ka Qeveri të re – Kosova e humb mundësinë e anëtarësimit në KiE”

Nëse nuk formohen institucionet e reja të Kosovës brenda dy jave, vendi do të përballet me probleme në rrugën e integrimit evropian.

Kështu tha analisti politik Ilir Deda, duke paralajmëruar se mund të dalin probleme për në Këshillin e Evropës dhe për kandidaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Këtu vijmë te faktori kohë. Për shembull, nëse brenda 2 jave Kosova nuk ka qeveri të re, atëherë humbet mundësia për anëtarësim në Këshill të Evropës, e për pasojë edhe për shqyrtim të kandidaturës për BE në dhjetor”, shkroi Deda në një postim në Facebook.

“Humbet mundësia për shembull për vendosjen e bazës për pavarësi energjetike. Humbet mundësia për shembull për çfarëdo marrëveshjeje për investim të huaj. Humbet mundësia për shembull për hartim të një agjende të përbashkët me perëndimin për afirmim të Kosovës. Humbet për shembull mundësia për rritje të rrogave dhe pensioneve. Humbet viti 2025 dhe agjenda për 2026, varfërohet edhe më tepër sektori privat dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi. Nëse nuk mirren një sërë vendimesh për trasim të rrugës drejt Evropës 2030, mbesim jashtë loje. Dhe, ka mundësi reale që Kosova të përfundoj në “meny” në tryezën e ndryshimit të raporteve ndërkombëtare”, ka thënë Deda.

Deda ka shtuar se Kosova mundet edhe të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare këtë verë nëse partitë nuk pajtohen për objektivat për Kosovën.

“Pastaj të presin përfundimin e zgjedhjeve lokale para se të formojnë qeverinë e re. Por mundësitë e vitit 2025 nuk do të kthehen më. Pasojat tek e fundit i bartin qytetarët dhe shteti. Por jo edhe militantët që do të bërtasin gjithandej se pikërisht ky apo ai lider është “më i miri” për Kosovën, ndërkohë që Kosova do të jetë edhe më e varfëruar, më e cunguar dhe më e vetmuar”, tha Deda.

Related Articles