Koci: Deputetët sot tronditën shtetin nga themeli, është përbuzje ndaj qytetarit

Koci: Deputetët sot tronditën shtetin nga themeli, është përbuzje ndaj qytetarit

Avokati Arianit Koci i ka kritikuar rëndë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilën dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës të martën.

Koci, në një shkrim në Facebook, tha se për herë të parë të martën deputetët e lanë në tokë demokracinë.

“Në këtë vend, pa Kuvend – s’ka Qeveri. Pa Qeveri – s’ka drejtim. Dhe kur s’ka drejtim, gjithçka rrëshqet”, tha ai.

“Ngadalë. Qetë. Si një shtet që po zhbëhet pa e vërejtur askush.”

Postimi i Arianit Kocit pa ndërhyrje:

Për herë të parë, në këtë vend që mezi ndërtoi demokracinë, dikush e mori votën – dhe e la në tokë.

Jo nga modestia. Nga llogaritjet.

Salla e Kuvendit mbeti bosh. Por jo nga rastësia.

Ishte bosh nga guximi. Nga përgjegjësia.

Nga ata që u thirrën të përfaqësojnë – por zgjodhën të mos veprojnë.

Në këtë vend, pa Kuvend – s’ka Qeveri.

Pa Qeveri – s’ka drejtim.

Dhe kur s’ka drejtim, gjithçka rrëshqet.

Ngadalë. Qetë. Si një shtet që po zhbëhet pa e vërejtur askush.

Nëse nuk ka vullnet për t’i dhënë formë institucioneve, zgjedhjet janë e vetmja rrugë që ka mbetur.

Jo sepse dikujt i përshtaten – por sepse nuk ka rrugë tjetër që i jep legjitimitet sistemit.
Këta që sot luajtën me boshllëkun, nesër do flasin për krizën që vetë e prodhuan.

Do flasin për stabilitet, ndërsa vetë e tronditën shtetin nga themeli.

Mandatet nuk janë zbukurim. Janë barrë.

Vota e qytetarit nuk është monedhë për pazare politike. Është obligim.

Dhe kush nuk është i gatshëm ta mbajë – le të largohet. Por të mos kthehet më si “shpëtimtar”.

Sepse ajo që ndodhi sot – nuk është thjesht papërgjegjësi. Është përbuzje ndaj qytetarit.

Dhe sa më shumë që e tolerojmë, aq më pak do na mbesë nga ky shtet.

Related Articles