Katër shtetas të Serbisë, më 14.04.2025 rreth orës 10:00 dyshohen se kanë kaluar ilegalisht kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Personat në fjalë janë ndaluar nga Policia në fshatin Novosellë të Kamenicës, teksa pas kontrollit u janë gjetur gjësende të përdorura, njoftoi Policia e Kosovës.
“Janë shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuar shtetas të Serbisë, pasi që me automjet kishin kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në Kosovë. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur gjësende të ndryshme të përdorura.”
Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, mallrat i janë dorëzuar doganës, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.