Deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian i Kosovës, Veton Berisha, ka thënë se do ta votojë një qeveri të re nga Kurti.
Gjatë një interviste për një emision televiziv, ai tha se nuk e ka qëllim të bëhet ministër, por tha se dëshiron që ta japë votën e tij për një qeveri të re të krijuar nga Albin Kurti, transmeton Gazeta Enigma.
“I kam ofruar zotit kryeministër mandatin tim, jemi duke biseduar për këtë çështje. Jam i gatshëm të jap kontribut maksimal që institucionet të ndërtohen sa më shpejt, i kam ofruar votën time. Në çfarëdo situate nuk do të jem bllokues, por normalisht se do të kërkoj përgjegjësi dhe implementimin e programit i cili është një program që rregullon jetën e komunitetit”.
“Kushtetuta i ka rregulluar këto gjëra. Me shumë respekt i respektoj 42 për qind të votuesve dhe kjo më obligon sepse njihem si institucionalist dhe jam ithtar i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. I jam përgjigjur ftesave të zotit Kurti, do t’i përgjigjem prapë, dhe jam i interesuar të mbështes zotin Kurti për të krijuar qeveri, dhe shpresoj se ai do t’ia dalë këto ditë që t’i ketë numrat e mjaftueshëm”, theksoi Berisha.