Osmani takohet me Partipattin nga ShBA-të, ja çka u bisedua

Osmani takohet me Partipattin nga ShBA-të, ja çka u bisedua

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së ShBA-së, Anu Pratipatti.

Osmani bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat drejt konstituimit të legjislaturës së re dhe veprimet e ardhshme institucionale në përputhje me Kushtetutën, shkruan Gazeta Enigma.

“Presidentja e njoftoi znj. Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit”.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për dy njohjet e reja nga Kenia dhe Sudani, gjë që sipas saj, u mirëprit si një zhvillim i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

“Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet tutje në njoftim./GazetaEnigma/

Related Articles