Haradinaj: Prilli i vitit 1999 ndër muajt më të dhimbshëm të kombit tonë

Haradinaj: Prilli i vitit 1999 ndër muajt më të dhimbshëm të kombit tonë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot një nga periudhat më të rënda të historisë së Kosovës, duke nderuar sakrificën e Dëshmorëve dhe Martirëve që ranë në prillin e vitit 1999, në përballje me makinerinë ushtarake e policore serbe.

“Prilli i vitit 1999 shënon një ndër muajt më të dhimbshëm për shumë familje nga Llapi dhe Gollaku. Në përpjekje për t’i shpëtuar terrorit serb, mbi 124 civilë të pafajshëm ranë në pritën e forcave kriminale serbe, që nuk kursyen askënd, as fëmijë, gra e pleq,” shkruan Haradinaj.

Ai përkujton gjithashtu edhe masakrën e rëndë në Devë të Gjakovës, ku u ekzekutuan mizorisht 7 vëllezër nga familja Bobi, si dhe krimin në Ribar të Vogël, ku u vranë 25 civilë – 19 nga ky fshat dhe 6 nga fshati Vërshec.

“Sot, në përvjetorin e Betejës së Marecit dhe masakrës në Makoc, Prishtina shënon Ditën e Dëshmorëve. Me nderim të thellë përkujtojmë trimërinë e Brigadës 153 ‘Hyzri Talla’ të UÇK-së dhe guerilës BIA,” thekson ai.

Haradinaj ka përkujtuar gjithë dëshmorët që ranë më 18 prill 1999 në beteja të ashpra kundër forcave pushtuese serbe, në fshatrat Marec, Makoc, Sllovi dhe më gjerë.

“Liria që e gëzojmë sot është vepër e gjakut dhe sakrificës së luftëtarëve çlirimtarë, Dëshmorëve dhe Martirëve, që mbeten themel i shtetësisë sonë dhe frymëzim i përhershëm ndër breza. Sakrifica e tyre na obligon ta ruajmë këtë liri si pasurinë më të çmuar të kombit,” përfundoi Haradinaj.

Related Articles