Federata e Basketbollit të Kosovës ka hedhur një hap të ri drejt promovimit të sportit dhe përfshirjes së publikut – duke lansuar podcastin “n’rrjetë”. Ky projekt inovativ, i pari i këtij lloji nga një federatë sportive në Kosovë, synon të sjellë basketbollin më afër zemrave dhe mendjeve të tifozëve të këtij sporti.
Duke u përkushtuar me pasion e profesionalizëm, FBK përforcon rolin e saj si lidere në zhvillimin e sportit, përmes kësaj platforme që shkon përtej ndeshjeve dhe rezultateve. “N’rrjetë” eksploron historitë që zakonisht nuk i shohim – ato që ndodhin prapa skenave, në jetën e sportistëve, trajnerëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në basketbollin kosovar.
Podcasti drejtohet nga Rreze Kqiku – një emër i respektuar në komunitetin sportiv dhe pjesë e FBK-së prej tre vitesh – që me përkushtim sjell zëra dhe emocione të rralla.
“N’rrjetë” është më shumë se një Podcast – është një platformë që eksploron thellësitë e këtij sporti përtej parketit dhe reflektorëve.
Episodet e podcastit do të publikohen çdo muaj në kanalin zyrtar të FBK-së në Youtube, me përmbajtje që përfshijnë analiza, rrëfime personale dhe biseda me figura kyçe të basketbollit.
Episodi i parë nisi me energji të madhe, duke sjellë një bisedë me Aulona Muhadrin – e shpallur basketbollistja më e mirë për vitin 2024, përfaqësuese e Kosovës dhe anëtare e Bordit të FBK-së. Ndërsa në episodin pasues (të dytë), në fokus ishte zëri dhe vizioni i Erina Berisha-Bashës, Presidente e KBF Peja.
“N’rrjetë” është një hapësirë e gjallë, dinamike dhe përfaqësuese, që në muajt në vijim do të sjellë personalitete të tjera inspiruese nga të gjitha shtresat e basketbollit kosovar – gjithmonë me një frymë të vetme: ta duam, ta kuptojmë dhe ta rrisim bashkë këtë sport që na bën krenarë.
Më poshtë gjeni episodin e dytë të këtij Podcast-i: