Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk po mashtrohen në negociatat për paqen mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë një deklarate për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet se çfarë priste nga bisedimet mes dy palëve.
“E gjithë jeta ime ka kaluar në negociata të mëdha dhe e di kur njerëzit po na luajnë dhe kur jo”, u shpreh ai.
“Dua të shoh entuziazëm për ta përfunduar [luftën]. Mendoj se po e shoh atë entuziazëm – mendoj se e shoh nga të dyja palët”, shtoi Presidenti amerikan.
Kur u pyet nëse mendonte se Rusia po përpiqej të mashtronte SHBA-në, Trump e hodhi poshtë këtë mundësi, duke theksuar: “Askush nuk po na mashtron.”
Kujtojmë që Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar një humbje të madhe jete dhe dëme të mëdha materiale.