Çitaku: Kurti t’i nënshtrohet ligjit, të japë dorëheqje me shkrim, pastaj e votojmë raportin për mandatet

Çitaku: Kurti t’i nënshtrohet ligjit, të japë dorëheqje me shkrim, pastaj e votojmë raportin për mandatet

Vlora Çitaku nga radhët e PDK-së, ka komentuar seancën e nesërme që do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, e cila është vazhdim i dy seancave të para konstituive.

Ajo tha se PDK-ja nuk do të shkojë për të bllokuar e për të krijuar drama, por që do të insistojnë që të respektohet ligji.

Nënkryetarja e PDK-së e ftoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që t’i nënshtrohen ligjit dhe t’i kalojnë inatet, egot dhe mëritë, por edhe konfirmoi se nëse do të ketë respektim të procedurave dhe ligjit, do ta votojnë Komisionin për mandate.

“Ne nuk shkojmë nesër në seancë për të bllokuar as për të krijuar drama në Kuvend. Shkojmë me insistim për të dalur nga kjo situatë. E ftoj Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, që njëherë në jetë t’i nënshtrohet ligjit dhe ta respektoj, të jep dorëheqje me shkrim dhe të nesërmen do ta ketë votën tonë tek raporti i Komisionit për mandate. Mirëpo nuk mund të kërkohet nga ne, që me vetëdije të plotë, të shkelim ligjet, sepse janë norma të pashmangshme. Ne presim që nesër të ketë reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë fituar 42% të votave, duhet të jenë të përgjegjshëm. Ne duhet të tejkalojmë inatet, egot dhe mëritë, nuk tregohesh as i fortë e as i madh nëse insiston tek një qëndrim, i cili bjen në kundërshtim me ligjin dhe cenon rëndë rendin kushtetues. Ne nuk e kemi luksin të mbesim pa institucione”, tha fillimisht Çitaku.

Sipas saj, kjo krizë është e krijuar artificialisht, ashtu siç Vetëvendosja e ka uzurpuar Kuvendin, ka uzurpuar edhe Qeverinë, duke marrë vendime të paligjshme.

Ndër të tjera, ajo po ashtu konfirmoi se PDK-ja nuk ka votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar nga Vetëvendosje, edhe nëse ai do të jetë Fatmir Limaj.

“Kjo krizë është e krijuar artificalisht, ashtu siç Vetëvendosja e ka uzurpuar Kuvendin, ka uzurpuar edhe Qeverinë sot. Marrin vendim të paligjshme të cilat do të përfundojnë Prokurori. Si tek emërimi i bordeve, tek pozitat e larta dhe vendime të tjera, të cilat i kanë të ndaluara. Sa i përket votës për kryeparlamentar, ne nuk kemi një të tillë për ndonjë kandidat që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Do të marrim pjesë në votim, por nuk do të votojmë asnjë kanidat nga kjo parti”, përfundoi ajo për GazetaBlic.

Related Articles