Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën në Ribar të Vogël të Lipjanit. Bashkë me këtë ngjarje, ai ka kujtuar edhe viktimat civile në dhjetëra fshatra të tjera, të cilat përjetuan mizorinë e autoriteteve serbe në prill të vitit 1999.
“Dafina Vishesella kishte vetëm 6 vjet. E vranë brutalisht më 18 prill 1999. Sot e kujtojmë atë dhe të gjithë të vrarët në masakrën në Ribar të Vogël të Lipjanit. Me një minutë heshtje nderuam viktimat e pafajshme, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, nga mosha 6 deri në 95 vjeç, të vrarë nga pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë Jugosllave”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
“Me dhembje, sot përkujtojmë edhe viktimat civile, vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë në Marec të Prishtinës dhe në Dyz të Podujevës. Gjatë këtyre ditëve të prillit, kujtojmë civilët e vrarë në masakrat e kryera në Gollak, Lugishtë, Fshat të Vjetër, Kaliqan, Studenicë, Llashticë, Vatë, Carrallukë, Rrugë e Kovaçëve, Sllovi, në Lagjen e Boshnjakëve, Shipol, Gllanasellë, Çikatovë dhe Poklek të Vjetër”, vazhdon postimi i tij në Facebook.
Kurti ka thënë se nderojnë trimërinë e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë duke mbrojtur popullatën civile në përballje me makinerinë gjenocidale serbe.
“Me krenari dhe me përkushtim për drejtësi, sot dhe përgjithmonë, e ruajmë të gjallë kujtimin për ta, si obligim ndaj sakrificës së tyre, ndaj historisë sonë dhe ndaj brezave që vijnë pas nesh. Lavdi të gjitha viktimave të pafajshme të masakrave, të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar Kurti.