Izraeli kryen sulme në Gaza dhe Liban

Izraeli kryen sulme në Gaza dhe Liban

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite më 20 prill janë vrarë të paktën 25 persona në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Izraeli rinisi sulmet ajrore dhe tokësore në Gazë më 18 mars, duke rinisur luftimet pas dy muajsh armëpushim, që ndaluan luftën 15-mujore mes Izraelit dhe Hamasit – grupif palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Që nga agimi sot, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 20 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë në mbarë Rripin e Gazës”, tha për AFP-në, Mahmud Bassal, zëdhënës i agjencisë për mbrojtje civile.

Në një njoftim të ndarë, agjencia raportoi edhe për pesë të vrarë nga sulmet izraelite me dronë në Rafah.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë më parë u zotua që të vazhdojë luftën dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Gazë nga Hamasi.

“Jemi në një fazë kritike të fushatës, dhe në këtë pikë kemi nevojë për durim dhe vendosmëri për të fituar”, tha Netanyahu përmes një njoftimi, duke refuzuar thirrjet nga radikalët palestinezë për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr trupat nga Gaza.

Që kur Izraeli rifilloi ofensivën muajin e kaluar, të paktën 1.827 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve në luftën në Gaza ka arritur në 51.201, shumica prej tyre civilë, sipas së njëjtës ministri – shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Lufta shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1.200 personave dhe rrëmbimin e afër 250 të tjerëve nga Izraeli. Nga të rrëmbyeri, 58 persona ende mbahen në Gazë, përfshirë 34 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur.

Libani thotë se Izraeli kreu sulm vdekjeprurës në jug

Ministria e Shëndetësisë në Liban tha se një person u vra më 20 prill pas një sulmi ajror izraelit në jug të shtetit.

Ky është sulmi i fundit në serinë e disa sulmeve, pavarësisht se mes Izraelit dhe grupit Hezbollah ka një armëpushim.

Hezbollahu është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listë të zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Një “sulm nga Izraeli ndaj një automjeti në Kaotarijet al-Saijad”, e cila ndodhet në brendësi të vendit midis qyteteve jugore Sidon dhe Tir, ka vrarë “një person dhe ka plagosur një tjetër”, tha Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi.

Izraeli ka vazhduar të kryejë rregullisht sulme në Liban, pavarësisht armëpushimit të 27 nëntorit që synonte ndalimin e mbi një viti armiqësish, përfshirë dy muaj luftë të ashpër mes Izraelit dhe Hezbollahut, që mbështetet nga Irani.

Të premten, Ministria e Shëndetësisë në Liban tha se sulmet ajrore izraelite vranë dy persona në jug, ndërsa Izraeli njoftoi për sulme në të njëjtat zona kundër militantëve të Hezbollahut.

Sipas armëpushimit, Hezbollah duhej të tërhiqte luftëtarët e vet në veri të lumit Litani dhe të shpërbënte çdo infrastrukturë ushtarake të mbetur në jug. Izraeli nga ana tjetër, duhej të tërhiqte të gjitha forcat e tij nga jugu i Libanit, edhe pse vazhdon të mbajë pesë pozicione që i konsideron “strategjike”.

Ushtria libaneze ka filluar të dislokohet në jug pranë kufirit me Izraelin, ndërkohë që forcat izraelite janë tërhequr.

Kreu i Hezbollahut, Naim Qassem, tha të premten se grupi “nuk do të lejojë askënd ta çarmatosë atë”, ndërkohë që Uashingtoni po i bën presion Bejrutit për të detyruar këtë lëvizje, të mbështetur nga Irani, të dorëzojë armët.

Related Articles