Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A-4 është rikthyer sërish në operim të rregullt pas një pune intensive dhe të pandërprerë nga ekipet përkatëse të TC Kosova.
Kjo njësi kishte dalë nga prodhimi më 14 prill rreth orës 08:11, për shkak të paraqitjes së një rrjedhjeje në kaldajë.
“Gjatë ndërprerjes, janë eliminuar me sukses të gjitha mangësitë teknike, përfshirë edhe ato në kullën ftohëse dhe në pjesë të tjera të pajisjeve teknologjike të domosdoshme për rritjen e sigurisë së operimit të kësaj njësie”, thuhet në komunikatë.
Më tej, bëhet e ditur se para kësaj ndaljeje, njësia A-4 kishte operuar pandërprerë për 68 ditë rresht, duke dëshmuar stabilitet të lartë dhe efikasitet në prodhim.
“Sipas planifikimit, përgatitjet për startimin e njësisë kanë filluar mbrëmë me dt: 21.04.2025 rreth orës 18:55, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar në orë 23:30. Aktualisht, njësia ndodhet në gjendje stabile dhe funksionon në parametra të rregullt operimi”, thuhet më tej në komunikatë.