Haxhiu po e ka problem t’i marrë votat për kryeparlamentare, por sa vota kishte marrë Konjufca në 2021?

Haxhiu po e ka problem t’i marrë votat për kryeparlamentare, por sa vota kishte marrë Konjufca në 2021?

Kuvendi i Kosovës dështoi për herë të katërt të hënën që të konstituohet, pasi problem po del të jetë emërimi i kryeparlamentarit.

Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë pozitë, por e njëjta nuk po përkrahet nga partitë tjera, pasi po kërkojnë një emër më unifikues.

Në të dy raundet e votimit, Haxhiu mori vetëm nga 57 vota,  numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë

AAK ka lënë të kuptohet se mund të ndryshojë qëndrim nëse Lëvizja Vetëvendosje propozon ndonjë tjetër emër, si Saranda Bogujevci apo Shqipe Mehmeti Selimi.

Lumir Abdixhiku nga LDK tha se nuk do ta votojnë asnjë emër nga LVV, ndërsa Memli Krasniqi i PDK-së tha se nuk mund ta votojnë dikë që “ka dështuar në katër vjet si ministre”.

Për të kaluar me sukses votimi, LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota.

Një situatë e tillë nuk ishte parë në vitin 2021, kur LVV-ja e pati të lehtë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në atë kohë, Glauk Konjufca u propozua për këtë post dhe mori përkrahjen e 67 deputetëve, në një seancë ku ishin të pranishëm 113 deputetë.

Edhe emri i kryeministrit kaloi lehtë në atë kohë, me Kurtin që po ashtu u zgjodh nga 67 deputetë, ndërsa më i vështirë ishte emërimi i presidentes Vjosa Osmani, e cila arriti të emërohet në raundin e tretë të votimit, me përkrahjen e atërhershme të LDK-së. /Gazeta Enigma

Related Articles