Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, edhe një herë ka deklaruar se interesi i partisë së tij nuk është që të bllokohet procesi drejt konstituimit të institucioneve, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se po të donte LVV ta bënte një gjë të tillë nuk do të propozonte kandidat për kryeparlamentar.
Bashat tha se LVV i ka numrat për formimin e qeverisë, megjithatë jo edhe ata për Kuvend.
“Duhet me pasë kujdes ata kur futen me një rrugë, njëjtë si e raporti i verifikimit të mandateve. Hynë në një rrugë pa krye, thoshin jokushtetuese, në fund e panë se nuk mund ta refuzosh mandatin tënd. Edhe kjo, kryesia e Kuvendit përbëhet prej tri partive më të mëdha dhe kërkohet prej të triave me i thirrë arsyes për t’i formuar të trijat. Përndryshe ata e bllokojnë të parin, ne të dytin dhe nuk kemi konstituim”, u shpreh ai në “60 Minuta” në KTV.
Sipas Bashës LVV nuk është duke menduar për ndërrim të emrit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Siç u shpreh ai, “nuk është për t’iu pëlqyer opozitës” meqë i takon partisë së parë ta propozojë.
“Njëjtë si te verifikimi mandateve, u dëshmua se partitë opozitare e bllokuan për një kohë por më pas e panë se gabuan dhe vazhduan, besoj se e njëjta do ndodhë edhe më këtë ku do t’i thirrin arsyes dhe do ta votojnë. Nuk është e vërtetë, nuk janë ofruar dorëheqjet. Asnjë ndryshim nuk ka ndodhur prej 15 prillit deri në seancën kur e kanë votuar raportin. E panë që janë gabim, e votuan raportin. Besoj e njëjta do ndodhë nesër me kandidatin për kryeparlamentar”.
Basha ka potencuar se pret që të mërkurën të ketë takim mes partive për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e situatës në Kuvend
“Besoj që po, këtë veç e ka bë Konjufca, propozuesi i mandatares. Thirrja është publik, ku kërkohet një marrëveshje politike, të ulen në tavolinë dhe të gjejnë rrugë përpara. Sepse nëse ata duan me blloku zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, me të njëjtën logjikë ne i bllokojmë nënkryetarët dhe Kuvendi nuk konstituohet asnjëherë. Kjo nënkupton që kërkon një marrëveshje politike mes tri partive, LVV-PDK-LDK”, ka theksuar Basha.