Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, teksa ka vazhduar ‘lavdërimin’ për Albulena Haxhiun se përse është kandidate adekuate për kryeparlamentare, Kusari bëri krahasim me numrin e votave që Haxhiu ka marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku thotë se ka kaluar edhe kryesues të partive politike, raporton Gazeta Enigma.
“Jam këtu të deklaroj se lehtësia me të cilën po gjykohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së LVV për kryetare të Kuvendit, është tërësisht i papranueshëm për ne. Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 125 mijë vota, apo 3 herë më shumë vota se zoti Haradinaj, apo dy herë më shumë se tërë grupi parlamentar i AAK-së që kanë qenë bashkë. Pesha politike, legjitimiteti i zonjë Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme. Gjithashtu, nëse krahasohet me vetë liderin e opozitës, zoti Memli Krasniqi, zonja Haxhiu është 30 mijë vota para zotit Krasniqi”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se Haxhiu po kategorizohet në mënyrë mizogjene.
“Haxhiu ka qenë mbi 11 vite deputete e Kuvendit. Roli i saj nuk ka qenë unifikues me thirrje, por ka qenë opozitare, dhe besoj si opozitare e ka treguar përkushtimin dhe betejën e vazhdueshme për të gjitha kauzat e LVV-së. Edhe në rolin e ministres së Drejtësisë, sërish ka përfaqësuar qeverinë Kurti 2”.
Para mediave, deputetja e LVV-së tha se partia që ajo përfaqëson po kërkon konsensus.