Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se pas një viti e gjysmë bllokimesh, Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) vazhdon të pengohet – “pikërisht nga ata që nuk po duan që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë fjale për të ardhmen e qytetit”.
“Njoftojmë qytetarët e Prishtinës se sot, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pritet të votohet për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Ky votim nuk është për miratimin përfundimtar të planit. Sot votohet që ky dokument të bëhet publik – që qytetarët të kenë mundësinë ta shohin dhe të japin komente, propozime apo vërejtje”, tha Rama në një postim në Facebook.
I pari i Prishtinës tha se nëse nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për lagjet, infrastrukturën, gjelbërimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës.
“Ky është momenti për të treguar që duam një qeverisje të hapur, të ndershme që dëgjon qytetarin dhe të shohim qartazi kush po voton për jo-transparencë, kush po bllokon!”, u shpreh në fund Rama.