Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimet e pasurive për zyrtarët publikë, të cilët kërkohet me ligj ta bëjnë një gjë të tillë, raporton Gazeta “Enigma”.
Në mesin e tyre është edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Formulari i dorëzuar nga Atiq është i kategorizuar te deklarimet e kryetarëve të komunave, mirëpo ai si pozitë primare e deklaron atë të këshilltarit politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
E, i njëjti formular figuron edhe te kategoria e stafit të MPB-së. Mirëpo, çudia me deklarimin e tij të pasurisë nuk përfundon këtu.
Erden Atiq deklaron se pozitën e këshilltarit politik në MPB e mban që nga 03.08.2022, por në vitin 2024 të njëjtën nuk e kishte deklaruar fare.
Më 2023, Atiqi deklaronte se për këtë pozitë merr 6000 euro në vit, kurse në deklarimin e sivjetmë të pasurisë, i njëjti nuk deklaron fare të hyra për këtë pozitë. Për pozitën e kryetarit të komunës, të cilën e mori më 19.05.2023, Atiqi deklaron se merr pagë 1,204 euro në muaj.
Pasuri të paluajtshme, kryetari i Mitrovicës së Veriut ka deklaruar vetëm një banesë të trashëguar nga prindi, të cilën e ka vlerësuar në 22 mijë euro. I njëjti ka të deklaruar edhe një kredi prej 1500 eurosh, ndaj të cilës ka detyrim edhe 500 euro të papaguara.
Kurse bashkëshortja e tij del të jetë e punësuar në një shkollë private për gjuhë të huaja, nga ku paguhet 2,970 euro.