Rritja alarmante e përdorimit dhe shpërndarjes së narkotikëve nga të rinjtë vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në gjithë Kosovën.
Një rast i tillë është shënuar edhe mbrëmë në Suharekë.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 25 prill 2025, rreth orës 17:00, në rrugën “Hasan Prishtina”, Policia ndaloi një veturë Ford Fiesta të cilën e voziste i dyshuari D. Sh (rreth 20-vjeçar), i shoqëruar nga një pasagjer, A.F.
Gjatë kontrollit që policia i bëri veturës, poshtë ulëses së shoferit u gjetën dhe u sekuestruan 7 qese plastike me substancë narkotike të dyshuar marihuanë.
Në vazhdim, me autorizim të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me njësitë e antidrogës, është kryer bastisje në shtëpinë e D.SH, në rrugën “Avdyl Ramaj” në Suharekë, por nuk është gjetur ndonjë material tjetër i kundërligjshëm.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj D.SH. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.