Pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë mbeten pa rrymë, kaos në trafik e fluturime

Pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë mbeten pa rrymë, kaos në trafik e fluturime

Spanja dhe Portugalia u goditën të hënën nga një ndërprerje e energjisë elektrike që paralizoi transportin publik, shkaktoi bllokime të mëdha në trafik dhe vonesa në fluturime. Aktualisht, operatorët e shërbimeve publike po përpiqen të rikthejnë funksionimin e rrjetit elektrik.

Autoritetet nuk kanë mundur ta shpjegojnë shkakun e ndërprerjes së energjisë, megjithëse nuk u përjashtua mundësia që ndërprerja ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik. Përderisa zyrtarët thanën se hetimet po vazhdojnë, një komitet krize u krijua në Spanjë për ta menaxhuar situatën, sipas burimeve agjencisë Reuters.

Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë thirrën mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit pas ndërprerjes, e cila gjithashtu preku përkohësisht një pjesë të Francës, në kufirin verilindor me Spanjën.

Ndeshjet në turneun e tenisit Madrid Open u pezulluan, duke detyruar tenistin, Grigor Dimitrov, dhe kundërshtarin britanik, Jacob Fearnley, të linin fushën, pasi tabelat e rezultateve u fikën dhe kamerat humbën energjinë.

Radiot spanjolle raportuan se një pjesë e metrosë së Madridit po evakuohej, ndërkohë që kishte bllokime trafiku në qendër të Madridit pasi semaforët kishin dalë jashtë funksionit, raportoi radioja Cadena Ser.

Qindra njerëz qëndronin jashtë ndërtesave të zyrave në rrugët e Madridit dhe kishte një prani të shtuar të policisë rreth ndërtesave kryesore, duke drejtuar trafikun si dhe duke patrulluar nëpër rrugët kryesore, sipas një dëshmitari të Reuters.

Një nga katër kullat në Madrid që strehon Ambasadën Britanike ishte evakuuar, shtoi dëshmitari.

Radiot lokale raportuan për njerëz të bllokuar në vagonët e metrosë dhe në ashensorë të ngecur.

Policia portugeze tha se semaforët ishin prekur në gjithë vendin, metroja ishte mbyllur në Lisbonë dhe Porto, dhe se trenat nuk po funksiononin.

Operatori i metrosë në Lisbonë, Metropolitano de Lisboa, tha se metroja kishte ndaluar plotësisht ndërsa njerëzit ndodheshin ende brenda trenave, sipas gazetës Publico.

Një burim nga kompania ajrore TAP Air në Portugali tha se aeroporti i Lisbonës po funksiononte me gjeneratorë rezervë, ndërsa AENA, që menaxhon 46 aeroporte në Spanjë, raportoi për vonesa të fluturimeve në gjithë vendin.

Në Francë, operatori i rrjetit elektrik RTE tha se kishte pasur një ndërprerje të shkurtër të energjisë, por furnizimi ishte rikthyer.

Operatori portugez i rrjetit elektrik REN konfirmoi një ndërprerje të energjisë në gjithë Gadishullin Iberik që preku gjithashtu një pjesë të Francës, ndërsa operatori spanjoll i rrjetit Red Electrica tha se po punonte me kompanitë rajonale të energjisë për të rikthyer furnizimin me energji.

“Të gjitha planet për rikthimin gradual të furnizimit me energji janë aktivizuar, në koordinim me prodhuesit dhe operatorët energjetikë evropianë”, tha një zëdhënës i REN-it.

“REN është në kontakt të përhershëm me entitetet zyrtare, përkatësisht me Autoritetin Kombëtar të Mbrojtjes Civile. Në të njëjtën kohë, po vlerësohen shkaqet e mundshme të këtij incidenti”, tha ai.

Related Articles