I dërguari special për Ukrainën i presidentit amerikan Donald Trump, Keith Kellogg, ka dhënë një deklaratë që ka ngjallur reagime.
Kellogg ka pohuar se Ukraina është e gatshme të heqë dorë nga pjesë e territorit të saj të pushtuar nga Rusia jo në mënyrë ligjore, por faktike.
“Ukrainasit vetëm se kanë deklaruar se janë të gatshëm të japin tokë… jo de-jure, përgjithmonë, por de-facto sepse rusët në fakt e kanë pushtuar atë,” tha Kellogg të mërkurën vonë.
Ai shtoi se këtë qëndrim ia kanë konfirmuar zyrtarët ukrainas javën e kaluar.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë pjesë të rëndësishme industriale të vendit.
Deklarata vjen në kohën kur administrata e Trump-it po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje mes dy vendeve, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar deri më tani një armëpushim të përhershëm.
Megjithatë, Putin ka shpallur një armëpushim treditor, nga 8 deri më 11 maj, të cilin Kellogg e quajti si “absurd”.