Rruga “Agim Ramadani” në Prishtinë është riasfaltuar dhe është pajisur me shenjëzim të ri horizontal, duke sjellë përmirësime në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit.
Pamje nga përfundimi i punimeve i ka publikuar në rrjetet sociale ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Alban Zogaj.
“Rruga ‘Agim Ramadani’ me asfalt të ri, e me shenjëzim të ri! Fantastike,” ka shkruar Zogaj në një postim në Facebook, duke shpërndarë pamje nga terreni.
Përmirësimet në këtë rrugë pritet të lehtësojnë qarkullimin, të rrisin sigurinë për këmbësorët dhe automjetet, si dhe të kontribuojnë në përmirësimin e pamjes urbane të zonës.
Por, ajo që u ka rënë në sy qytetarëve janë vijat e verdha të kryqëzuara tek semaforët në afërsi te Kuvendit të Kosovës. Vijat e tilla janë të stilit anglez, të njohura si “Yellow Box Junction”.
Ky sistem është zbatuar për herë të parë në Londër në vitet 1960 për të parandaluar bllokimin e kryqëzimeve me trafik të dendur.
Rregulli kryesor i “Kutisë së verdhë” është që shoferëve nuk u lejohet hyrja në këtë zonë nëse nuk kanë hapësirë të lirë për ta kaluar të gjithë kryqëzimin. Nga komuna nuk kanë dhënë ndonjë informacion dhe sqarim për vendosjen e këtyre vijave të verdha.