Deputeti i betuar i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar në Facebook mbi propozimin e kësaj partie për qeveri nacionale të tranzicionit.
Ai thotë se LDK e ka të qartë vullnetin e elektoratit të vetë, dhe se nuk duhet të ketë e as nuk do të ketë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërrimin e kësaj partie dhe shkatërrimin e vendit.
“JO! LDK e ka të qartë vullnetin e elektoratit të vet. Nuk mund askush të flasë për vullnetin e elektoratit tonë. Nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërimin e LDK-së dhe shkatërrimin e vendit. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para mediave njoftoi se ka refuzuar bashkëpunim vetëm me VV-në, ndërkohë ka ftuar në takim të gjitha partitë politike shqiptare për të diskutuar mbi një qeveri nacionale të tranzicionit.
Deri në këto moment, vetëm kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i është përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.