Në vitin e kaluar (2024), të hyrat e përgjithshme Qeveritare ishin mbi 3.2 miliardë euro. Tatimet në produkte ishin kontribuuesit më të mëdhenjtë në këto të hyra.
“Gjithsej të hyrat e Përgjithshme për vitin 2024 ishin 3,222.7 milionë Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71% të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura 15%, pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) 4%, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”- thuhet në njoftim e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në anën tjetër, gjithsej shpenzimet e Përgjithshme të Qeverisë në vitin 2024 ishin 3 miliardë e 189.3 milionë euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 25%, kontributet sociale dhe përfitimet 24%, formimi i kapitalit bruto 16%, konsumi i ndërmjetëm 14%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë tjera të shpenzimeve, raporton Kallxo.
Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] i bëri të ditura me publikimin e Llogarive Qeveritare për periudhën 2020-2024. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.
Sipas ASK-së, ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).
Burimet e të dhënave për ASK-së, janë Ministria e Financave – Departamenti i Thesarit dhe Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.