Vendimi i dyshimtë multimilionësh që rëndon mbi gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku

Vendimi i dyshimtë multimilionësh që rëndon mbi gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar një skandal të madh që përfshin Gjykatën Komerciale në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike. Ky rast e bën secilin të mendojë dy herë para së të investojë në Kosovë. Alajdin Tërshnjaku, gjyqtar i Gjykatës Komerciale, ka shpallur një aktgjykim që vë në pah dyshime të rënda se prapa tij qëndrojnë grupe interesi. Gjyqtari ka refuzuar të flasë për Paparacin rreth këtij rasti. Për këtë skandal janë njoftuar edhe kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar një skandal të madh që përfshin Gjykatën Komerciale në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike.

Veprimet janë ndërmarrë në një proces gjyqësor kontestimor mes dy bizneseve të njohur të ndërtimit në Prishtinë: “Alba Group” dhe “Kawa Group”.

Rasti është gjykuar nga gjyqtari Alajdin Tërshnjaku. Vendimi i tij është krejtësisht pezull dhe i bazuar vetëm në pretendime të një paditësi dhe krejtësisht në kundërtshim me vendime tjera të Gjykatës.

Tërshnjaku e ka kthyer përmbys brenda tri vitesh gjykimi një padi për dëmshpërblim të “Alba Group” ndaj “Kawa Group”. Ka kryer shkelje të rënda. Ka shpallur aktgjykim kundër paditësit që pastaj gjatë procesit është kthyer edhe në të paditur.

Në padinë e “Alba Group” kundër “Kawa Group” për një borxh 200 mijë eurosh, Tërshnjaku e ka implikuar kundërligjshëm në rast edhe kundërpadinë e biznesit në pronësi të biznesmenit Valon Vataj.

Gjyqtari e ka aprovuar kundërpadinë e “Kawa Group” për 5.3 milionë euro dëmshpërblim ndaj palës së dëmtuar, për pezullimin e një leje ndërtimore për një kompleks banesor në Veternik, vendim të cilin e kishte marrë vetë gjykata, ndonëse procesi ka nisur me një padi të “Alba Group”, kundër kompanisë tjetër për borxh.

Ndonëse gjykata ia ka njohur këtë borxh si dhe vetë pala e paditur, gjyqtari Tërshnjaku ka nxjerr vendim se gjoja padia e “Alba Group” dhe vendimi përmbarimor i gjykatës e ka falimentuar kompaninë “Kawa Group”, për çka sipas këtij gjyqtari dëmi është mbi pesë milionë euro.

Ai në arsyetimin e aktgjykimit ka shkruar se Gjykata është vënë në lajthitje nga propozuesi dhe e ka vendosur gabimisht masën e sigurimit për pezullimin e lejes ndërtimore.

“Paditësi përmes propozimit për masën e sigurisë dhe paraqitjes jo të drejtë të fakteve e ka bindur gabimisht gjykatën për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën e ka bërë pezullimin e lejes ndërtimore, ndaljen e punimeve dhe shitjeve”, pretendon Tërshnjaku në vendimin e tij, ani se i njëjti gjyqtar, në arsyetimin e aktvendimit të datës 11.04.2023, me të cilin ka abroguar masën e sigurimit, ka konstatuar se gjendja faktike në ngastrën kadastraler ka ndryshuar. Fillimisht, nga dëgjimi i palëve në procedurë rrjedhë se është fakt i pa kontestuar nga të dyja palët se që nga koha e vendosjes së masës së sigurimit, zhvillimi i projektit investues nga KAWA Group ka avancuar deri në ndërtimin e njësisë/kullës së tretë banesore – çka në kohën e vendosjes së masës së sigurimit ka qenë e ndërtuar vetëm një njësi/kullë banesore.

Në këtë vendim, gjyqtari i Gjykatës Komerciale e ka vërtetuar pjesërisht padinë e paditësit “Alba Group” ndaj “Kawa Group” për dëmshpërblim në vlerë mbi 200 mijë euro. Pra ai, vetë e vërteton borxhin dhe vetë pastaj vendos dëmshpërblim se gjoja “Kawa Group” ka falimentuar si pasojë e vendimeve të gjykatës.

Por, në të njëjtin rast ai e ka kthyer palën e dëmtuar në palë fajtore dhe e ka obliguar “Alba Group” që t’ia paguajë “Kawa”-s 5.3 milionë euro në formë të fitimit të munguar, dhe vetëm pёr shkak të caktimit të masës së sigurimit nga ana e gjykatës. Shton kësaj edhe interesin prej 8 për qind që vlerën totale e çon në rreth 7 milionë euro.

Rasti i gjykuar prej tij shkakton një precedent të rrezikshëm në zgjidhjen e kontesteve biznesore.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës rrezikon të paditet nga “Kawa Group” për shkak të konstatimit që gjykata “është bindur gabimisht” nga një palë në procedurë kontestimore për caktimin e masës së sigurimit, e cila është kthyer në themelin e kundërpadisë ndaj palës së dëmtuar.

Aktgjykimi për rastin është shpallur më 3 prill të vitit 2025. Është aktgjykim i shkallës së parë të Komerciales. Rasti është ankimuar dhe do të gjykohet në Dhomën e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate.

Padia fillimisht ishte inicuar nga njëra palë për një borxh rreth dy kontratave për furnizim me material ndërtimor. Ndërkaq, kundërpadia është proceduar për krejt diçka tjetër. Ajo nuk ka të bëjë me objektin e padisë. Kjo dhe shkelje të tjera të rënda nuk janë marrë parasysh nga gjyqtari Tërshnjaku. Paparaci e ka siguruar dosjen e plotë të rastit.

Pse u padit “Kawa”?

Objekt i kontestit janë detyrimet kontraktuale që rrjedhin nga dy kontrata për furnizim me beton dhe zhavor të lidhura mes dy kompanive më 2 prill të vitit 2019.

Sipas dy marrëveshjeve, “Alba Group” do ta furnizonte kompaninë “Kawa Group” me materiale ndërtimore zhavor dhe beton, deri në përfundimin e punimeve për ndërtimin e kompleksit banesor “Lord Rezidence” në Veternik.

Në këmbim të materialeve ndërtimore, furnizuesi – “Alba Group” – pёr furnizim me beton do të merrte në kompensim të vlerës së furnizimeve 50% mjete monetare dhe 50% banesa dhe lokale, ndërsa pёr furnizim me zhavorr do të kompensohej 50% me banesa dhe 50% me lokale në këtë kompleks.

“Pas nënshkrimit të kontratave të lartcekura, paditësi- propozuesi e ka furnizuar të paditurin me beton në shumën prej 418,173.25 euro. Më tej i autorizuari i propozuesit ka shtuar se deri tani propozuesi i ka bërë pagesë kundër propozuesit në shumën prej 127,345.25 euro, ndërsa për pjesën tjetër të pagesave duhet të zbatohet neni përkatës i paraparë me kontratë, që kundër propozuesi të bëjë kontratë me propozuesin për ndarjen e njësive të banimit dhe lokaleve në emër të kompensimit për shkak të furnizimit me beton në lartësinë prej 50%, si pagesë e fundit”, thuhej në padi.

Por, në vitin 2020, “Kawa Group” po shkonte drejt falimentimit.

Në këtë gjendje, në mes të vitit 2020, Kawa vendos ta qesë jashtë loje “Alba Group”.

Kawa e injoron kontratën e lidhur me “Alba Group” dhe lidh një kontratë të re me një nënkontraktor tjetër për furnizim me materiale ndërtimore. Nis edhe shitja e banesave që do të ndërtoheshin.

Paditësi nuk i merr në këmbim as paratë e vlerës së furnizimeve.

“Me dhënien e nënkontraktimit për ndërtim, kundërshtari i sigurimit [Kawa Group] po përpiqet që t’iu ik detyrimeve të veta karshi paditësit, si dhe ta minimizoj të drejtën e paditësit, duke vazhduar ndërtimin e objektit nga pala e tretë”, thuhet në padinë e paraqitur nga “Alba Group” më 9 tetor të vitit 2020.

“[Kawa Group] mban qëndrimin se paditësi në atë objekt ka investuar më shumë se 300 mijë euro të liferuara në beton dhe zhavor, edhe pse sipas dakordimeve me paditësin, një pjesë e madhe e lokaleve dhe banesave i takojnë paditësit [Alba Group], të cilat marrëveshje e paditura nuk po i respekton”.

“Alba Group”, në padinë e saj ngriti shqetësimin se po i kanosej një rrezik i madh “i humbjes së të drejtave të veta apo zvogëlimit të saj në raport me madhësinë e objektit”.

Në një përgjigje në padi, “Kawa Group” e konsideroi të pakuptimtë kërkesën e Alba Group dhe paraqiti kundërshtim ndaj padisë. Ajo tha se nuk i ka mohuar obligimet e veta, “mirëpo objektet afariste janë në fazën ndërtimore ashtu që nuk mund të bëhet shitblerja pranë noterit”.

Gati tri vjet betejë gjyqësore

Në padinë për dëmshpërblim, “Alba Group” i paraqiti gjykatës edhe kërkesë për caktimin e masës së sigurimit mbi kompleksin banesor “Lord Rezidence”.

Shqyrtimi fillestar i kontestit u bë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike.

Në një aktvendim të shpallur më 15 dhjetor të vitit 2020, gjyqtari Murat Paçarada e aprovoi kërkesën e paditësit për caktim të masës së sigurimit mbi kompleksin banesor. Masa e sigurisë e obligonte Komunën e Prishtinës që të pezullonte lejen ndërtimore për ngastrën kadastrale në të cilën po ndërtohej “Lord Rezidence”. Toka i takonte pronarëve të ndryshëm, ndërsa investitorët ishin të ndryshëm.

Apeli e rrëzoi aktvendimin e shkallës së parë të gjykatës, duke i dhënë të drejtë në ankesë kompanisë “Kawa Group”.

Më 2 mars, 2021, shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë e miratoi sërish propozimin e “Alba Group” për caktim të masës së sigurimit. Më 5 maj të atij viti, aktvendimi mori formë të prerë me vendim të Apelit.

Lënda kaloi në Gjykatën Komerciale pas gushtit të vitit 2022, kur filloi për herë të parë punën kjo gjykatë e dedikuar ekskluzivisht për zgjidhjen e kontesteve që lidhen me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore. Atë e mori përsipër gjyqtari Alajdin Tërshnjaku. Në nëntor të vitit 2022, Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, mori vendim për abrogimin e masës së sigurimit ndaj ndërtimit të kompleksit banesor “Lord Rezidence”, duke vendosur në favor të “Kawa Group”.

Ndonëse “Kawa Group”, nuk e kishte shlyer ende borxhin e përllogaritur në vlerë afër 300 mijë euro ndaj Alba Group”, gjyqtari Tërshnjaku vendosi për abrogimin e masës së sigurimit.  Sipas aktvendimit, rrethanat e rastit kishin ndryshuar për dallim nga viti 2021, kur Gjykata e Apelit kishte vendosur për caktimin e masës së sigurimit ndaj ndërtimit të kompleksit.

“Gjykata erdhi në përfundim se shkaqet janë të orientuara në ndryshimin e rrethanave të cilat kanë qenë relevante me rastin e caktimit të masës së sigurimit, prandaj nisur nga ky fakt se rrethanat për caktimin e masës së sigurimit kanë ndryshuar, atëherë ekzistojnë arsyet e mjaftueshme se masa e sigurimit është e panevojshme”, thuhet në aktvendimin e shkallës së parë të Komerciales më 14.11.2022.

Në këtë vendim të Gjykatës, thuhej se kundërpaditësi, pra “Kawa Group”, ka përmbushur “një shumë të faturave të prezantuara, gjë që paraqet një ndryshim të rrethanave me të cilat ishte caktuar masa e sigurimit”.

Po ashtu, Gjykata vlerësonte se masa e sigurimit duhej të shfuqizohet pasi paditësi, pas caktimit të masës së sigurimit në vitin 2021, e kishte dërguar rastin në përmbarim. Kësisoj, sipas këtij aktvendimi, kishte humbur efekti i masës së sigurimit.

Nuk shkoi larg dhe në dhjetorin e 2022-s, shkalla e dytë e Komerciales ia prishi aktvendimin shkallës së parë. Një kolegj i përbërë nga tre gjyqtarë të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, vendosi në favor të ankesës. E prishi aktvendimin e shkallës së parë për abrogim të masës së sigurimit, duke e kthyer atë në rivendosje.

Ky trup gjykues i Dhomës së Shkallës së Dytë vlerësoi në aktvendim se përderisa nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar për lëndën përmbarimore për realizimin e faturave të papaguara, “nuk ka humbur ende efekti i masës së caktuar”.

“Pra, nuk kemi ndonjë ndryshim të rrethanave në kuptim të shmangies së shkaktimit të dëmit eventual që mund t’i shkaktohet kundërshtarit të propozimit ‘Alba Group Sh.p.k.’”, thuhej në aktvendim. Por, gjyqtari Tërshnjaku nuk ndërroi vendim kur i erdhi lënda për rivendosje. Tërshnjaku, në prill të vitit 2023, nxori vendim në kundërshtim me shkallën e dytë të gjykatës. për abrogim të masës së përkohshme të sigurimit, duke vendosur në favor të “Kawa Group”.

Ai, në arsyetim të aktvendimit, insistoi në argumentin se kushtet për abrogimin e masës së sigurimit ishin përmbushur me faktin që disa fatura ishin paguar.

Megjithatë, rrethanat e rastit nuk kishin ndryshuar ende.

Më 30 maj, 2023, Dhoma e Shkallës së Dytë e Komerciales nxori vendim të formës së prerë për abrogimin e masës së sigurimit edhe pse rrethanat nuk kishin ndryshuar nga koha kur kjo masë ishte në fuqi me vendim të formës së prerë.

Një trup gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Dren Rogova, nxori aktvendim kundër ankesës së “Alba Group” për abrogim të masës së sigurimit dhe e vërtetoi aktvendimin e gjyqtarit Tërshnjaku. Arsyetimi i dhënë nga gjykata ishte fakti që në këtë investim kishim të bënim me disa investitorë, të cilët janë palë të treta dhe të cilët “nuk do duhej të dëmtoheshin” në këtë procedurë.

Aktgjykim i paprecedent

Vendimit përfundimtar për padinë, të cilës gjyqtari Tërshnjaku ia kishte bashkëngjitur edhe kundërpadinë e “Kawa Group” ndaj “Alba Group”, i erdhi momenti i verdiktet në prill të vitit 2025.

Pas më shumë se katër vitesh në proces, gjyqtari Alajdin Tërshnjaku i Dhomës së Parë të Komerciales, më 3 prill nxori një aktgjykim skandaloz me katër pika të dispozitivit.

Kontestit për borxhin mbi 200 mijë eurosh rreth detyrimeve kontraktuese, Tërshnjaku vendosi – në të njëjtin kontest – që ta shpallte të bazuar kundërpadinë e “Kawa Group” ndaj “Alba Group” për 5.3 milionë euro dëmshpërblim në formën e fitimit të humbur, ndonëse “Alba Group”, nuk ia kishte ndaluar punën privatisht por me anë të vendimeve gjyqësore.

Në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit, gjykata vendosi për aprovimin si pjesërisht të bazuar të kërkesëpadisë së “Alba Group” ndaj “Kawa Group”.

Ndërkaq, në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit, vendosi për aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së kundërpaditësit “Kawa Group” ndaj “Alba Group” për dëmshpërblim në vlerë 5,332,330.58 euro.

“Aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e kundërpaditësit ‘Kawa Group’ dhe vërtetohet se paditësi/kundër-padituri ‘Alba Group’, si pasojë e pezullimit të lejes ndërtimore dhe ndalimit të kryerjes së punëve të ndërtimore i ka shkaktuar ‘Kawa Group’ dëm real dhe atë: dëm real në formën e fitimit të munguar për shkak të ndalimit të shitjeve për periudhën 15.02.2020 deri në 11.04.2023, në shumën prej 3,641,096.41 euro dhe dëm real si rezultat i kompensimit të pronarëve të tokës për shkak të vonesave në dorëzim të njësive afariste banesore në shumën prej 1,691,234.17 euro, në shumën e përgjithshme prej 5,332,330.58 euro”, thuhet në dispozitivin II të aktgjykimit.

Pika III e detyron paditësin/kundërpaditësin “Alba Group” që në emër të diferencës së detyrimeve t’ia paguajë të “Kawa Group” shumën prej 5,129,186.96 euro. Pika IV ka të bëjë me shpenzimet procedurale.

Aktgjykimi përbën shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike, bazuar në një ankesë të parashtruar nga përfaqësuesi ligjor i “Alba Group”.

“Alba Group”, e dëmtuar nga ky aktgjykim, ka parashtruar ankesë në gjykatë, sipas afateve të parapara me Ligj.

Sipas përfaqësuesit të “Alba Group”, gjykata ka vepruar gabimisht kur e ka pranuar si provë materiale ekspertizën e ekspertit financiar.

Kjo për faktin se eksperti financiar nuk ishte i licencuar për të vlerësuar vlerën e fitimit të humbur dhe vlerësimin e provave. Nga paditësi, e i padituri, eksperti ishte kërkuar vetëm për një ekspertizë financiare. I njëjti i kishte kryer ekspertizat për të dyja palët dhe për të gjitha faktet kontestuese në këtë çështje.

Përveç ekspertizës, aktgjykimi është i përfshirë edhe në shkelje tjera të rënda.

Një prej shkeljeve kryesore është kryer kur gjyqtari Tërshnjaku e ka pranuar kundërpadinë e të paditurit në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Kundërpadia ishte pranuar nga gjyqtari i çështjes edhe pse objekti i kontestit të parashtruar nga paditësi me padi “është ndryshe nga objekti i kontestit të kundërpadisë”, sipas ankesës së parashtruar në gjykatë nga përfaqësuesi ligjor i “Alba Group”.

Në Ligj kërkohet që kërkesa e kundërpadisë te ketë lidhje me atë të padisë. Në rastin konkret, paditësi kishte kërkuar detyrimin/borxhin kontraktues dhe kompensimin e dëmit financiar të humbur, ndërsa i padituri kishte kërkuar kompensimin e dëmit nga caktimi i masës së sigurisë, të caktuar nga vetë gjykata.

“Gjykata në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me vetë aktvendimet e saj dhe konstatimet e gjetura nga pikërisht gjyqtari i njëjtë, në aktgjykimin në fjalë ka konstatuar se: Paditësi përmes propozimit për masën e sigurisë dhe paraqitjes jo të drejtë të fakteve e ka bindur gabimisht gjykatën për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën e ka bërë pezullimin e lejes ndërtimore, ndaljen e punimeve dhe shitjeve, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme të paditurit”, thuhet në ankesë.

Përpos shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, përfaqësuesi i autorizuar i paditësit “Alba Group” aktgjykimin e atakon edhe për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike.

Related Articles