Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka folur në “Euronews” rreth vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, si dhe rreth takimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me presidentin rus, Vladimir Putin.
Para nisjes së kësaj vizite, ai citohet të jetë pyetur nëse vizita e presidentit serb në Moskë është “sinjal problematik për të”.
Costa u përgjigj duke thënë se rreshtimi me Politikën e Jashtme të BE-së është një prej kushteve për zgjerim.
“Atje po festohet një ngjarje historike, por e ardhmja e tyre është në Evropë. Para tre javësh, pata nja takim me Ursula von der Leyen dhe presidentin Vuçiq. Përkushtimi i tij ishte i qartë për formimin e Qeverisë së re dhe implementimin e tri reformave kyçe: ligjin për zgjedhje, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit” – citohet se ka thënë ai.
Theksojmë se në kuadër të kësaj vizite, Costa pritet të qëndrojë në Kosovë më 14 maj.
Ai do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.