Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi më 12 maj se do të heqë statusin e mbrojtjes së përkohshme (TPS) për disa afganë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur përmirësime në situatën e sigurisë dhe në situatën ekonomike në Afganistan.
“Kemi rishikuar kushtet në Afganistan, së bashku me partnerët tanë ndërinstitucionalë, dhe ato nuk përmbushin më kriteret për të mbajtur statusin e mbrojtjes së përkohshme (TPS)”, thuhet në deklaratën e sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.
“Situata e sigurisë në Afganistan është përmirësuar dhe ekonomia është duke u stabilizuar, prandaj këto kushte nuk i pengojnë më qytetarët afganë të kthehen në atdhe”, shtoi ajo.
Noem bëri të ditur se statusi aktual i mbrojtjes së përkohshme për Afganistanin do të skadojë më 20 maj, dhe vendimi për ndërprerjen e tij do të hyjë në fuqi më 12 korrik.
TPS-ja u ofron mbrojtje qytetarëve të huaj që nuk mund të kthehen në vendin e tyre për shkak të luftës, fatkeqësive natyrore apo kushteve të tjera të jashtëzakonshme.
Në deklaratë thuhet se Noem ka vlerësuar se “në përgjithësi, ka përmirësime të dukshme në situatën e sigurisë dhe situatën ekonomike në Afganistan, aq sa kthimi i shtetasve afganë nuk përbën më kërcënim për sigurinë e tyre personale për shkak të konfliktit të armatosur apo kushteve të jashtëzakonshme dhe të përkohshme”.
Noem citohet gjithashtu të ketë thënë se vendimi për të hequr TPS-në është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së, pasi “të dhënat e DHS-së tregojnë se disa përfitues janë nën hetim për mashtrim dhe për kërcënime ndaj sigurisë publike dhe asaj kombëtare.”
Sipas organizatës AfghanEvac, rreth 11.000 afganë aktualisht përfitojnë nga mbrojtja e TPS-së në SHBA.
“Kjo vendimmarrje për t’i dhënë fund TPS-së për Afganistanin nuk është e bazuar në realitet – por në politikë”, tha kreu i AfghanEvac, Shawn VanDiver.
“Afganistani mbetet nën kontrollin e talibanëve”, theksoi ai në një deklaratë. “Nuk ka një sistem funksional azili. Vazhdon të ketë vrasje, arrestime arbitrare dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave dhe pakicave etnike”.
“Ajo që administrata bëri sot është një tradhti ndaj njerëzve që rrezikuan jetën për Amerikën, ndërtuan jetë këtu dhe besuan në premtimet tona”, përfundoi ai.
Ish-presidenti Joe Biden kishte zgjatur mbrojtjen e TPS-së për shtetas të disa vendeve në janar, ndërsa presidenti Donald Trump ka ndërmarrë hapa për ta hequr këtë mbrojtje për vende të tjera, përfshirë Haitin dhe Venezuelën, si pjesë e një linje më të ashpër ndaj emigracionit.