Kërkesa e LDK-së për çmimin e rrymës, Bajqinovci: LDK është fajtorja për gjendjen e krijuar

Kërkesa e LDK-së për çmimin e rrymës, Bajqinovci: LDK është fajtorja për gjendjen e krijuar

LDK e ka dërguar dje në ZRRE kërkesën për shfuqizim të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike që ka hyrë në fuqi nga 1 maji.

Ajo e ka bërë këtë pas mbledhjes së nënshkrimeve nga deputetë në Kuvendin e Kosovës, ku nga VV nuk ka nënshkruar askush.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, e ka quajtur hipokrizi që LDK ka vepruar në këtë mënyrë, pasi thotë se LDK është ajo që e ka dërguar në Kushtetuese ligjin për çmimin tavan, duke mos u lënë mundësi të frenimit të çmimeve.

“Kjo është standard i dyfishtë dhe hipokrizi e LDK-së. LDK e ka dërguar ligjin për çmimin tavan në Gjykatën Kushtetuese dhe na ka lënë neve pa një levë që të mund t’i kontrollojmë çmimet sot, andaj çkado që bën LDK e bën për t’i hedhur hi syve qytetarëve të Kosovës. Sot ne si Qeveri dhe si Kuvend nuk kemi levë që t’i frenojmë çmimet sepse po kjo LDK e ka dërguar ligjin në Kushtetuese dhe e ka stopuar ligjin për çmimet tavan, ku e pengon rritjen e çmimeve 200 e 300 për qind në tregun e Kosovës siç po e shohim sot. Andaj është hipokrizi e LDK-së të dalë e të thotë se nuk duhet të shtrenjtohet kjo apo ajo sepse vet e ka penguar ligjin që i pengon këto gjëra”, ka theksuar ai.

Sipas deputetit, LDK është fajtorja për gjendjen e krijuar me çmime.

“Ne jemi kundër e kemi thënë disa herë por ne nuk kemi levë sot që të pengojmë diçka të tillë në një mekanizëm të pavarur sepse vet LDK e ka bërë këtë gjë. LDK  është fajtore për krejt këtë gjendje që po ndodhë në çmime”, ka deklaruar Mefail Bajqinovci.

Related Articles