Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, reagon kryetari i komunës

Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, reagon kryetari i komunës

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas vandalizimit të një posteri që promovon koncertin në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.

Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi, ishte një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, i cili ra dëshmor më 24 maj të vitit 2001 në fshatin Tërnoc i Madh.

Në një video të publikuar, shihet një person duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar posterin e vendosur në Bujanoc.

Pajaziti e ka quajtur këtë veprim një sulm të rëndë ndaj kujtesës kolektive dhe përpjekjeve për të nderuar figurat historike që kanë kontribuar për të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë.

“Me shqetësim dhe indinjatë kemi mësuar për aktin vandal të kryer ndaj posterit që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit. Thyerja e xhamit dhe dëmtimi i këtij posteri nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës sonë dhe përpjekjeve për nderimin e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin tonë”.

Related Articles