Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një lajm të rëndësishëm në lidhje me marrëveshjen e pensioneve me Italinë, të arritur në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt së fundmi në Tiranë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama njoftoi se kryeministrja italiane Giorgia Meloni i dorëzoi dokumentin final të procesit ligjor për zbatimin e marrëveshjes.
“Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, ka shkruar Rama.
Kjo marrëveshje pritet të përmirësojë ndjeshëm të drejtat sociale të shqiptarëve që kanë punuar apo jetojnë në Itali, duke forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.