Aktakuza për korrupsion qindra mijëra eurosh në Komunën e Prizrenit, LVV: Dëshmi se PDK-ja ka kapur institucionet

Aktakuza për korrupsion qindra mijëra eurosh në Komunën e Prizrenit, LVV: Dëshmi se PDK-ja ka kapur institucionet

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka reaguar lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesit të një operatori ekonomik, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, përkatësisht mashtrimit në prokurimin publik.

Skandali kap vlerën mbi 550 mijë euro, me dyshimin se dëmi financiar është mbi 412 mijë euro në buxhetin e Komunës së Prizrenit.

“Sipas aktakuzës, zyrtarë të Komunës, në bashkëpunim me kompani private, kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme një grup operatorësh ekonomikë në një tender publik për “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës”, duke shpërfillur pesë oferta të tjera me çmime më të ulëta. Për më tepër, kontrata është menaxhuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me ligjin për prokurim publik, duke përfunduar me realizimin vetëm të një pjese të punëve të parapara dhe duke krijuar një dëm të drejtpërdrejtë ndaj financave publike të qytetarëve të Prizrenit”, thuhet në reagimin e LVV-së në Prizren.

Ky rast, sipas reagimit, “është dëshmi e qartë e kapjes së institucioneve në nivel lokal, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetarit Shaqir Totaj, të cilët e kanë shndërruar Komunën e Prizrenit në vend të favoreve klienteliste, korrupsionit institucional dhe shpërdorimit të parasë publike”.

“Ne ritheksojmë se qeverisja e PDK dhe kryetarit Shaqir Totaj, është shndërruar në simbol të keqpërdorimit e zhvatjes së parasë publike në Komunën e Prizrenit. Qytetarët e Prizrenit nuk e meritojnë një pushtet të zhytur në afera korruptive! Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren beson se qytetarët e Prizrenit e meritojnë një qeverisje të ndershme, transparente dhe në shërbim të tyre!”, thuhet në reagim.

Related Articles