Krasniqi: Zgjidhja më e mirë, Qeveri nga partitë ish-opozitare

Krasniqi: Zgjidhja më e mirë, Qeveri nga partitë ish-opozitare

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku ka diskutuar krizën politike të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

PDK ka vlerësuar se Kosova po përballet me një bllokadë të rrezikshme institucionale, për të cilën përgjegjësi tha se ka koalicioni i partive që kanë dalë të parët në zgjedhje, LVV, Guxo dhe Alternativa – që, në mungesë të shumicës parlamentare, “kanë marrë peng themelimin e institucioneve të reja, legjitime dhe demokratike”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para anëtarëve të Kryesisë, ka treguar se në takimin me Presidenten Vjosa Osmani më 15 maj ka ritheksuar se “zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë, për të rikthyer stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të Kosovës”.

Në mbledhjen e Kryesisë, Krasniqi ka njoftuar se i ka kërkuar Presidentes që t’i drejtohet me pyetje kushtetuese Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kandidatit për kryetar/e Kuvendi, me qëllim që të sqarohen pozicionet institucionale dhe juridike në këtë situatë.

Sipas PDK-së, kryetari i partisë informoi Kryesinë edhe për takimin që ka zhvilluar me Kryetarët e Degëve të PDK-së, me qëllim të përgatitjeve për zgjedhjet lokale.

“Ai ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tyre në funksion të organizimit sa më efikas dhe të suksesshëm të strukturave të partisë nëpër të gjithë vendin”, thonë nga PDK-ja.

Related Articles