Haradinaj kujton masakrat në burgun e Dubravës dhe në Vushtrri: Serbia kishte qëllim zhdukjen e qenies shqiptare

Haradinaj kujton masakrat në burgun e Dubravës dhe në Vushtrri: Serbia kishte qëllim zhdukjen e qenies shqiptare

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrave në burgun e Dubravës dhe në Vushtrri, duke thënë se shteti serb edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, “e ne vazhdojmë betejën për të vërtetën”.

“Nga 19 deri më 22 maj 1999, në burgun e Dubravës ndodhi një nga krimet më makabre që pushtuesi serb kreu ndaj shqiptarëve, mbi 130 të burgosur u vranë dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Masakra e Dubravës zbardhi fytyrën e vërtetë të gjenocidit serb, me një qëllim të vetëm, zhdukjen e qenies shqiptare përmes spastrimit etnik”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.

“22 maji 1999 na rikthen në kujtesë një tjetër akt barbar, masakrën në Vushtrri, ku forcat serbe ekzekutuan burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarët në rrugën “22 Maji” u gjetën më vonë në varrezat masive në Serbi, gjatë viteve 2003-2012”.

“Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën për të vërtetën”, u shpreh tutje Haadinaj.

“Kosova nuk harron! Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, përfundoi ai.

Related Articles