Ndërmarrja “Pastrimi” ka mbajtur një takim të premten me Komunën e Prishtinës, por ka deklaruar se Komuna nuk ka ofruar asnjë zgjidhje për kërkesat e ndërmarrjes.
“Pastrimi” ka akuzuar Komunën se kontrata parasheh një shërbim krejtësisht tjetër – shërbime sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milion eurosh – dhe nuk përbën zgjidhje për krizën reale me të cilën përballemi. Mjetet e kësaj kontrate nuk janë të menjëhershme dhe nuk e mundësojnë rikthimin e menjëhershëm në operim.
“Theksojmë se vazhdojmë grevën deri në përmbushjen e kërkesave tona bazë, përfshirë:
*Pagesën për muajt janar deri në maj, për shërbimet që i kemi kryer, ende nuk e kemi marrë nga komuna, që do të mundësonte furnizimin e menjëhershëm me naftë dhe rikthimin në funksion të plotë të ndërmarrjes.
* Nënshkrimin urgjent të kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë.
* Zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme që garanton mbështetje institucionale dhe financiare.
* Ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë, të cilët po ofrojnë shërbime paralele duke dëmtuar ndërmarrjen publike.
* Konsultimin e domosdoshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek operimin në territorin e Prishtinës.
* Respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, përfshirë trajtimin me përgjegjësi institucionale”.
“Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, greva nuk do të ndërpritet. Çdo zgjidhje e pjesshme është e papranueshme dhe nuk ndikon në vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesin publik, dinjitetin e punëtorëve dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes publike”, ka paralajmëruar “Pastrimi”.
“Gjithashtu, kërkojmë falje publike për sjelljen e njërit nga punëtorët ndaj përfaqësuesve të mediave gjatë ditës së sotme. Ka qenë një shpërthim emocionesh si rezultat i provokimeve të përsëritura nga zyrtarë komunalë, dhe nuk përfaqëson vlerat e përgjithshme të punëtorëve të “Pastrimit””, thuhej më tej.