Peci mbi dy orë në Prokurorinë Speciale, vazhdon intervistimi i tij

Peci mbi dy orë në Prokurorinë Speciale, vazhdon intervistimi i tij

Të martën Prokuroria Speciale ka kryer bastisje në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Ndërkohë që basitsjet po vazhdonin në këto lokacione, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Kjo u konfirmua nga vetë ky institucion, por duke qenë se intervistimi ndaj Pecit po ndodhte aktualisht, nuk dhanë detaje më shumë.

E, edhe pas më shumë se dy orësh, intervistimi i tij po vazhdon.

Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.

“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë.

Related Articles