Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Izraelit për fushatën e bombardimeve masive në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si të “palogjikshme” dhe “të pakuptimtë” në kushtet aktuale.
Ai theksoi se, sipas tij, sulmet izraelite nuk kanë më një qëllim të kuptueshëm në luftën kundër terrorizmit.
“Sulmet masive ushtarake nga izraelitët në Rripin e Gazës nuk janë më të logjikshme sipas meje. Se si i shërbejnë ato qëllimit për të luftuar terrorin … Në këtë drejtim, e shoh këtë shumë, shumë në mënyrë kritike,” ka thënë Merz.
“Nuk jam nga ata që e kanë thënë i pari … Por siç e shoh unë, koha ka ardhur që duhet ta them publikisht, se ajo çfarë po ndodhë aktualisht nuk është më e kuptueshme,” ka shtuar ai.
Komentet e Merzit janë të rëndësishme, pasi ato shënojnë një ndryshim të dukshëm në diskursin politik të Gjermanisë, e cila ka ndjekur një politikë të përgjegjësisë ndaj Izraelit për shkak të së kaluarës së saj të me Nazizmin dhe Holokaustin, sipas Reuters.
Mesazhi i tij u kumtua gjatë një konference për shtyp në Finlandë dhe pason një valë kritike nga disa politikanë gjermanë ndaj Izraelit, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Gjermania është duke e rishqyrtuar qasjen e saj ndaj Izraelit, ndërsa sulmet vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe një krizë humanitare të rëndë në Gaza.
Merz ka njoftuar se planifikon të flasë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë javës, për të diskutuar situatën dhe për të përcaktuar një linjë të re komunikimi midis të dyja shteteve.