Mbi 50 vende takohen për Ukrainën, ShBA-ja mungon në Bruksel

Mbi 50 vende takohen për Ukrainën, ShBA-ja mungon në Bruksel

Një grup prej 57 shtetesh, përfshirë të gjithë anëtarët e NATO-s që mbështesin Ukrainën, do të mbledhen sot në Bruksel për rundin më të fundit të koordinimit për ndihmën ndaj Kievit në luftën kundër pushtimit rus.

Takimi zhvillohet një ditë pas sulmit të ri të Ukrainës ndaj urës së Kërçit në Krime – një simbol i rëndësishëm i pushtimit rus. Sipas shërbimit të sigurisë SBU, ura është goditur me më shumë se një ton metrikë eksplozivë të vendosur nën ujë.

Por pjesëmarrja amerikane në këtë takim ka munguar. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk është paraqitur në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Sipas Reuters, ai pritet të marrë pjesë në një takim të NATO-s të enjten, ndërsa mungesa e tij po interpretohet si distancim i Uashingtonit nga ofensiva ukrainase.

Në anën tjetër, Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar të hënën rundin e dytë të bisedimeve për paqe në Stamboll. Të dyja palët janë pajtuar për lirimin e 6.000 trupave të ushtarëve të vrarë.

Në këto bisedime, Ukraina ka pranuar një memorandum rus për kushtet e paqes, të cilin ka thënë se do ta shqyrtojë brenda një jave. Kievi ndërkohë ia ka dorëzuar paraprakisht Moskës kornizën e kushteve të veta.

Related Articles