Një 6-vjeçare në mesin e të arrestuarve për vrasjen e gjeneralit të pensionuar në Mianmar

Një 6-vjeçare në mesin e të arrestuarve për vrasjen e gjeneralit të pensionuar në Mianmar

Ushtria e Mianmarit ka arrestuar një fëmijë 6-vjeçar si pjesë të një grupi të personave që i quajti “terroristë” për vrasjen e një gjenerali të dalë në pension muajin e kaluar, raportoi të premten një gazetë e drejtuar nga qeveria ushtarake.

Cho Htun Aung, 68 vjeç, gjeneral brigade i dalë në pension, i cili kishte shërbyer edhe si ambasador, u qëllua për vdekje në qytetin Yangon më 22 maj, në njërën nga vrasjet e profilit më të lartë në shtetin që është buzë zgjerimit të një lufte civile, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Mianmari, shtet që më parë njihej si Birmania ose Burma, është në trazira që nga marrja e pushtetit nga ushtria përmes një puçi ushtarak në shkurt të vitit 2021, me ç’rast ishte rrëzuar qeveria e zgjedhur me vota dhe e drejtuar nga laureatja e Nobelit, Aung San Suu Kyi, dhe ishin shkaktuar protesta të gjera.

Shtypja e dhunshme e pakënaqësive nga autoritetet qeveritare ushtarake nxiti kryengritje të pashembullt gjithëkombëtare. Disa grupe të armatosura kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha territori nga duart e ushtrisë së armatosur mirë. Luftimet e stilit gueril kanë shpërthyer edhe në zonat urbane, si qyteti Yangon.

“Gjithsej 16 shkelës – 13 meshkuj e tri femra – u arrestuan” – raportoi gazeta “Global Neë Light of Myanmar”.

Në pamje, gazeta e publikoi fotografinë e fëmijës 6-vjeçar, që e identifikoi si e bija e vrasësit të dyshuar. Një zëdhënës i qeverisë ushtarake nuk iu përgjigj thirrjeve për të dhënë një koment.

Një grup kryengritësish i quajtur “Luftëtarët e Luginës së Artë” tha se e vrau gjeneralin e pensionuar për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që ai ua ofronte operacioneve ushtarake, përfshirë sulmet ndaj civilëve, sipas një deklarate të lëshuar më 22 maj.

Related Articles