Familja e Gjylejta Ukellës, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Edmond Lajçi, është ndjerë e lehtësuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi këtë të fundit me burgim të përjetshëm.
Shpat Ukella, vëllai i viktimës ka thënë se dënimi është një hap drejt drejtësisë dhe se ky vendim ua ka zbutur sadopak dhimbjen.
“Na është lehtësuar dhimbja si familje. Gjykata e Apelit tregoi se nuk ka falje për vrasësit e grave. Uroj që asnjë familje të mos përjetojë një dhimbje të tillë, sepse pasojat janë të rënda”, tha Ukella për Klan Kosova.
Ai gjithashtu falënderoi Gjykatën Themelore në Pejë, prokuroren dhe avokaten për, siç u shpreh, “punën e jashtëzakonshme” në trajtimin e këtij rasti.
“Ka kaluar një vit e një muaj, dhe fëmijët asnjëherë nuk kanë kërkuar babin, vetëm nënën. Kjo tregon shumë”, tha tutje Ukella.