Të paktën 16 palestinezë janë vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës dhe në orët e para të së shtunës, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
Lufta 20-mujore e ushtrisë izraelite me Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – ka vazhduar, pavarësisht se Izraeli e ka hapur një front të ri lufte me Iranin.
Njëmbëdhjetë palestinezë të tjerë u vranë gjatë natës pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit – i cili po shpërndahet nga një grup humanitar i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të – në një tjetër rast të shtënash pothuajse të përditshme pranë këtyre zonave që janë hapur muajin e kaluar.
Dëshmitarët palestinezë thonë se forcat izraelite kanë qëlluar mbi turmën e njerëzve, por ushtria izraelite pohon se ka qëlluar vetëm në ajër si paralajmërim pranë njerëzve që i përshkruan si të dyshuar që i janë afruar forcave të saj.
Këto pika për shpërndarjen e ndihmave ndodhen në zona ushtarake ku qasja e mediave të pavarura është e ndaluar.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një kontraktor privat që udhëheq këto pika, njoftoi se ato janë mbyllur të shtunën. Por, dëshmitarët thanë se mijëra vetë ishin mbledhur aty gjithsesi, të dëshpëruar për ushqim, pasi bllokada izraelite dhe fushata ushtarake kanë çuar territorin në prag të zisë së madhe të bukës.
Spitali al-Aëda tha se i ka pranuar tetë trupa dhe të paktën 125 të plagosur nga një incident me të shtëna pranë një pike të GHF-së në Gazën qendrore.
Mohamed Abu Hussein, një banor i kampit të refugjatëve Bureij, tha se forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës rreth një kilometër nga pika e shpërndarjes së ushqimit. Ai tha se pa disa njerëz duke u rrëzuar në tokë, ndërsa mijëra të tjerë iknin me vrap.
Në qytetin jugor Han Junis, Spitali Nasser raportoi se ka pranuar 16 të vdekur, përfshirë pesë gra, nga disa sulme izraelite të premten vonë dhe të shtunën herët në mëngjes. Tre burra të tjerë u vranë pranë dy pikave të ndihmës së GHF në qytetin jugor Rafah, i cili tashmë është kryesisht një zonë ushtarake e pabanuar.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi i ri synon të zëvendësojë rrjetin e drejtuar nga OKB-ja që ka shpërndarë ndihma në Gazë gjatë 20 muajve të luftës. Ata akuzojnë Hamasin se ka përvetësuar ndihmat dhe i ka rishitur për të financuar aktivitetet e tij militante, raporton REL.
Zyrtarët e OKB-së mohojnë se Hamasi ka përvetësuar ndihma në mënyrë të konsiderueshme dhe thonë se sistemi i ri nuk arrin të përmbushë nevojat gjithnjë në rritje.
Ata theksojnë se ky sistem i ka dhënë karakter ushtarak ndihmës duke ia mundësuar Izraelit të vendosë se kush ka qasje në ndihma dhe duke i detyruar palestinezët të udhëtojnë në distanca të gjata ose të zhvendosen sërish pas shumë valëve të zhvendosjes.
Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 58 pengje mbeten në Gazë, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.
Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 55.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Fushata ushtarake ka shkatërruar zona të gjera të Gazës dhe ka zhvendosur 90% të popullsisë prej rreth 2 milionë palestinezësh, duke i lënë ata pothuajse plotësisht të varur nga ndihma ndërkombëtare.
Lufta ka përfshirë edhe Iranin dhe aleatët e tij në rajon, duke ndezur një zinxhir ngjarjesh që çuan në sulmet e mëdha izraelite mbi objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit të premten.