I akuzuar për tentim vrasje në vitin 2023 në Kukës, S.C., 25 vjeçar ishte kapur dhe arrestuar në Spanjë ndërsa përmes bashkëpunimit me autoritetet shqiptare i njëjti është ekstraduar për në Shqipëri.
Policia e Shtetit ka njoftuar se 25 vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
I riu dyshohet se në një lokal në njërën nga lagjet e Kuksit kishte tentuar të vras një person tjetër duke e goditur me mjet prerës.
E pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ishte larguar ndërsa si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Madridin, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në vijim të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u ekstradua nga Spanja në Shqipëri, 25 vjeçari dhe ndaj të njëjtit do të zhvillohen edhe procedurat të tjera ligjore.