Murtaja e bagëtive përhapet në 6 bashki të Shqipërisë

Murtaja e bagëtive përhapet në 6 bashki të Shqipërisë

Murtaja e bagëtive vijon të përhapet në Shqipëri, duke prekur tashmë 6 bashki.

Autoritetet veterinare dhe Ministria e Bujqësisë kanë marrë masat urgjente për asgjësimin e krerëve të prekur dhe izolimin e vatrave.

“Në të gjitha vatrat janë marrë kafshët dhe janë eliminuar dhe çuar në groposje, në praninë e Shërbimit Veterinar Shtetëror. Masa më e madhe është mbyllja e lëvizjes së kafshëve në të gjithë Shqipërinë, në tregjet e kafshëve të gjalla dhe lëvizja nga ferma në fermë. Lejohet vetëm lëvizja e kafshëve në thertore dhe me certifikatë veterinare. Masa më kryesore që ka marrë Ministria e Bujqësisë është sensibilizimi i situatës dhe i fermerëve për mos përhapjen e sëmundjes,” tha zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari.

Jaupllari theksoi se janë të gjitha autoritetet përkatëse në terren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, ndërsa garantoi se fermat e prekura do të kompensohen, pasi dëmet ekonomike janë të mëdha.

“Ajo që është e rëndësishme tani për ne është izolimi dhe mos përhapja e sëmundjes. Është një sëmundje që përhapet vetëm me kontakt. Nuk ka asnjë problematikë për njerëzit. Dëmi ekonomik është dëmi që u bëhet fermerëve dhe është një sëmundje që nuk hyn tek ato zoonotike dhe që rimbursohet. Kështu që duhet që fermerët tanë të krijojnë kushte të biosigurisë në fermat e tyre dhe të mos kullosin bagëtinë me të tjerët, të mos i bashkojnë me të tjerët. Mos të blejnë absolutisht asnjë kafshë. Edhe kompensimi është një nga çështjet që do të diskutohet. Jemi në fazat e para, ashtu si edhe Greqia që pas një viti filloi të mendonte për kompensim. Të gjitha këto do të shkojnë në unison, por fermerët duhet ta kenë të qartë që nuk janë vetëm”, nënvizoi zv.ministri i Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë u bën thirrje fermerëve të raportojnë çdo rast të dyshuar, ndërsa apelon për bashkëpunim në zbatimin e masave mbrojtëse.

Related Articles