Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, paralajmëroi të mërkurën se asistenca e drejtpërdrejtë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin mund ta destabilizojë në mënyrë radikale situatën në Lindjen e Mesme, ku po zhvillohen luftime ajrore qe gjashtë ditë mes Iranit e Izraelit.
Në disa komente të tjera, drejtori i shërbimit rus për inteligjencë të jashtme SVR, Sergei Naryshkin, citohet të ketë thënë se situata mes Iranit he Izraelit tani është kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ryabkovi i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara kundër asistencës së drejtpërdrejtë ushtarake për Izraelin ose madje edhe shqyrtimin e “opsioneve spekuluese” të tilla, sipas agjencisë ruse të lajmeve, “Interfax”.
“Ky do të ishte një hap që do ta destabilizonte radikalisht tërë situatën” – citohet të ketë thënë zëvendësministri rus.
Më herët, një burim i afërt me diskutimet e brendshme në ShBA tha se presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij ishin duke shqyrtuar një numër opsionesh, përfshirë bashkimin me Izraelin në sulmet kundër qendrave bërthamore të Iranit.
Të martën, Trumpi haptazi e përmendi vrasjen e mundshme të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, por tha: “Ne nuk do ta eliminojmë (vrasim!) atë, të paktën jo tash për tash.”
Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili në janar nënshkroi një traktat për bashkëpunim strategjik me Iranin, ka bërë thirrje për ndërprerjen e armiqësive mes dy palëve.