Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, por ende nuk ka dhënë dritën jeshile për zbatimin e tyre, sipas raportimeve nga Bloomberg dhe Wall Street Journal.
Trumpi është takuar të mërkurën në mbrëmje me gjeneralët më të lartë në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, ku janë diskutuar në detaje opsionet e ofensivës ndaj Iranit, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit me raketa iraniane, përfshirë goditjen e spitalit Soroka në Beer Sheva.
Sipas Wall Street Journal, një nga opsionet më të diskutuara është përdorimi i bombarduesve të padukshëm B-2, për të lëshuar bomba bunkerësh 30.000 funtesh mbi objektet bërthamore më të fortifikuara të Iranit, siç është impianti i pasurimit të uraniumit në Fordow.
Ndërkohë, administrata Trump dhe zyrtarë të lartë të sigurisë po analizojnë një sërë skenarësh për të reaguar në ditët në vijim. Një zyrtar i paidentifikuar tha për mediat amerikane se planet janë gati dhe po mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa Trumpi pret të shohë nëse Irani do të tërhiqet nga programi i tij bërthamor përpara se të japë miratimin përfundimtar për ndërhyrjen.
“Mund ta bëj, mund të mos e bëj”, u shpreh Trumpi më herët kur u pyet për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Iranit.
Në të njëjtën linjë të ashpër është edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili deklaroi se Irani do të “paguajë një çmim të lartë” pas goditjes së objektivave civile në Izrael, përfshirë goditjen e spitalit në jug të vendit nga raketat iraniane.
Ky zhvillim përforcon frikën për një përshkallëzim të mundshëm të përplasjes ushtarake mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, në një moment të ndjeshëm për sigurinë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.