Kuvendi i Finlandës të enjten votoi në favor të tërheqjes së vendit nga Konventa e Otavës, me të cilën ndalohet përdorimi i minave kundër personelit, në kohën e shqetësimit për rrezikun ushtarak që e paraqet Rusia fqinje.
Finlanda u bashkohet shteteve të tjera të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s që kufizohen me Rusinë – përfshirë Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Poloninë – që janë tërhequr ose planifikojnë të tërhiqen nga Konventa e Otavës, kur po shtohet frika nga fqinji i tyre shumë më i madh, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti Alexander Stubb, i cili i drejton politikat e sigurisë dhe politikën e jashtme të vendit, e ka mbrojtur këtë vendim.
“Realiteti në fund të lojës është që ne kemi fqinj një shtet agresiv e imperialist të quajtur Rusi, e cila vetë nuk është anëtare e Traktatit të Otavës dhe e cila vetë përdor mina tokësore në mënyrë të pamatur” – tha ai.
Rusia ka përdorur mina tokësore gjatë luftës së saj në Ukrainë.
Finlanda, e cila e ruan kufirin më të gjatë të NATO-s me Rusinë, do të mund ta fillojë grumbullimin e rezervave të minave gjashtë muaj pas njoftimit formal për anëtarët e tjerë të traktatit dhe për Kombet e Bashkuara.