Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar zyrtarisht rikandidimin e tij për zgjedhjet lokale, duke shpallur vendimin në një mesazh publik të ndjerë dhe reflektues.
“Në këtë Premte të bardhë, kam marrë një vendim të rëndësishëm dhe të ndjerë: po, po i rikthehem garës për kryetar të komunës sonë,” ka deklaruar Tahiri, duke theksuar se rikthimi i tij nuk udhëhiqet nga ambicia personale, por nga ndjenja e përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetit.
Në fjalën e tij, ai theksoi se ka ende shumë punë të papërfunduar dhe projekte që presin realizim. “Vushtrria nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për punë,” u shpreh ai, duke shtuar se ndjen një lidhje të fortë me qytetin dhe qytetarët e tij.
Kandidati i LDK-së kujtoi kohën sa ishte në detyrë, duke thënë se ka punuar me përkushtim për të mbajtur premtimet dhe se i ka munguar komunikimi i përditshëm me qytetarët dhe energjia e jetës komunale.
Ai iu bëri thirrje që qytetarët që t’i japin besimin edhe një herë, për të vazhduar punën për një “Vushtrri të ndershme, njerëzore dhe me vizion zhvillimor”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 12 tetor.