Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka folur në një intervistë për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung, duke reflektuar mbi mandatin e saj, sfidat globale dhe zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme.
Merkel theksoi mbështetjen e saj të qartë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, duke e konsideruar atë të domosdoshme përballë kërcënimeve nga Hamasi dhe Irani. “Nëse disave u lejohet të deklarojnë se duan të eliminojnë shtetin e Izraelit, shteti i Izraelit duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër kësaj,” u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se disa veprime të fundit të Izraelit ngrenë pikëpyetje në raport me të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar kompleksitetin moral dhe ligjor të situatës: “Nuk është aq e lehtë për t’u përgjigjur në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Merkel deklaroi se nuk ndjen keqardhje që nuk është më pjesë e samiteve ndërkombëtare, duke u shprehur se 16 vjet në detyrë kanë qenë më se të mjaftueshme. Ajo komentoi shkurt edhe mbi pjesëmarrjen e Kancelarit aktual Friedrich Merz në samitin e G7 në Kanada, duke e quajtur një përvojë të re dhe të rëndësishme për të.
Në intervistë, Merkel foli gjithashtu për sfida të tjera botërore, si ndryshimet klimatike, zhvillimet në inteligjencën artificiale, dhe për mundësinë e një presidenteje femër në të ardhmen në Gjermani.