Dhjetëra zjarrfikës po përpiqen për të dytën ditë radhazi, që nga e hëna, të kontrollojnë një zjarr të madh në ishullin grek të Kiosit, ndërsa autoritetet kanë lëshuar urdhra të rinj evakuimi për banorët.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, 190 efektivë janë angazhuar në përballjen me flakët në këtë ishull lindor të Egjeut.
Ata mbështeten nga 35 automjete, pesë helikopterë dhe dy aeroplanë që kryejnë hedhje uji nga ajri. Përpjekjet janë vështirësuar nga erërat e forta që fryjnë që prej së dielës.
Objektivi kryesor i zjarrfikësve është të pengojnë përhapjen e zjarrit në zonat e banuara dhe në rajonet jetësore për prodhimin e mastihas – një rrëshirë natyrale që mblidhet nga pemët e mastikës dhe ka rëndësi ekonomike për ishullin.
Autoritetet kanë dërguar alarme emergjente në telefonat celularë, duke u bërë thirrje banorëve të evakuojnë 16 fshatra, lagje dhe vendbanime në periferi të qytetit të Kiosit, që kur flakët shpërthyen të dielën në mesditë.
Departamenti i Zjarrfikësve ka njoftuar gjithashtu për tri vatra të ndara zjarri, të cilat shpërthyen të dielën në mëngjes dhe mesditë, pranë qytetit të Kiosit.
Një ekip i specializuar për hetimin e zjarrvënieve është dërguar në ishull për të përcaktuar shkaqet e mundshme të zjarrit. Shkalla e përhapjes së flakëve është konsideruar aq serioze, sa qeveria greke ka dërguar përforcime dhe pajisje nga pjesë të tjera të vendit, si përmes rrugëve ajrore, ashtu edhe detare.
Raportimet e mediave lokale flasin për ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me furnizimin me ujë, që kanë prekur jetën e përditshme të banorëve dhe kanë vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarreve.
Zjarret në pyje janë të shpeshta gjatë verës në Greqi, për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata.
Megjithatë, autoritetet thonë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto zjarre gjithnjë e më të mëdha dhe më të shpeshta.
Një nga fatkeqësitë më të rënda ndodhi në vitin 2018, kur një zjarr masiv përfshiu qytetin bregdetar të Matit, në lindje të Athinës, duke vrarë mbi 100 persona, përfshirë edhe ata që u mbytën duke u përpjekur të shpëtonin nga flakët.
Përballë rreziqeve të shtuara, qeveria greke ka deklaruar se këtë verë do të dislokojë një numër rekord zjarrfikësish dhe do të dyfishojë flotën e dronëve për monitorim dhe ndërhyrje.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Civile, rreth 18,000 pjesëtarë të personelit të përhershëm dhe sezonal do të mobilizohen, të mbështetur nga mijëra vullnetarë.