Behrami: Kurti kërkon votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe

Behrami: Kurti kërkon votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, i cili pretendoi se PDK i kishte blerë tortë deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për ditëlindje.

Behrami tha se “sa herë që thesi i rrenave u harxhohet, i kthehen Serbisë, Radojçiqit dhe Listës Serbe, të cilat e mbajnë Kurtin dhe VV-në politikisht gjallë”.

“Sa herë që Kurti e humb betejën me popullin, përmes Dejonës, e ndërsyn tipin e Zybës, të cilin e ka bërë deputet me qykë të zorit për ta mbajtur grupin e tij parlamentar nën kërcënim të vazhdueshëm”.

“Për shpifjet e Zybës”, Behrami tha se do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, “derisa demokracia do të triumfojë mbi tundimet autokrate të Kurtit”.

“Sa për tortë, kumbarët e Listës Serbe në Kuvend dihet kush janë. Është Kurti me VV-në që kërkojnë votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe”, u shpreh tutje deputeti i PDK-së.

“Sali Zyba nuk është as befasia e seancës, as shqetësimi i opinionit – është, thjesht, një aksident politik që përfaqëson standardin më të ulët të përfaqësimit parlamentar në historinë e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi në fund Behrami. /Gazeta Enigma

Related Articles