Durmishi për dy urat në Ibër: Në Tetor do i kemi të përfunduara

Durmishi për dy urat në Ibër: Në Tetor do i kemi të përfunduara

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka folur për dy urat mbi lumin Ibër që sot do të nisin punimet, e për të cilat ai thotë se afati për kryerjen e tyre është 90 ditë.

Rreth asaj se Bashkimi Evropian s’janë në dijeni për këtë projekt, zëvendësministri në detyrë tha se s’kanë diçka zyrtare që nuk i mbështesin këto punime, pasi siç tha ai këto janë projekte të Qeverisë.

“Në këtë kontratë i kemi dy ura, sot po fillojmë punimet. Kjo është ura për qarkullimin e automjeteve, ndërsa në pjesën tjetër do të bëhet ura për krijimin e dy shëtitoreve, për kalimin e këmbësorëve në të dy anët e lumit Ibër. Në bazë të kontratës, afati për kryerjen e punimeve është 90 ditë për të dy urat, pra deri në tetor do t’i kemi të përfunduara të dy këto ura – kjo këtu, sigurisht, pak më shpejt”, tha ai.

“Jo, ne nuk kemi diçka zyrtare që nuk i mbështesin këto punime, për shkak se këto janë projekte të Qeverisë së Kosovës, të cilat mundësojnë qarkullimin sa më të lehtë e sa më të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Këto nuk do të jenë të fundit, ne kemi edhe plot projekte të tjera që do t’i realizojmë në këtë hapësirë. Përgjatë lumit Ibër do ta trajtojmë komplet këtë hapësirë që gjendet përreth, në mënyrë që të jetë qarkullimi sa më i lehtë dhe më i mirë për qytetarët në të dy anët e lumit Ibër”, tha Durmishi për Rtv21.

Ani pse KFOR-i deklaroi gjatë ditës deklaroi se s’është kompetencë e tyre nisja e punimeve për të dyja urat dhe se ata po vazhdojnë patrullimet në urën kryesore mbi lumin Ibër, Durmishi theksoi tha se KFOR-i është në dijeni për këtë dhe se thjesht kanë kërkuar informacione mbi atë se çfarë po ndodh.

Siç tha ai s’ka arsye për t’i ndërprerë punimet, pasi janë “projekte në të mirë të gjithëve”.

“KFOR-i nuk ka pasur asnjë reagim. Ne e kemi diskutuar me zyrtarët e KFOR-it që janë këtu. Ata thjesht kanë kërkuar informacione se çka po ndodh. Ju kemi treguar se e kemi një kontratë, e kemi projektin, dhe po fillojmë sot implementimin e tij – dhe asgjë më shumë. Do të thotë, këto janë projekte të Qeverisë së Kosovës që po realizohen në territorin e Kosovës dhe nuk janë projekte në dëmin e askujt, por në të mirën e të gjithëve. Nuk ka asnjë arsye për t’i ndërprerë punimet. Po e zhvillojmë një projekt, ashtu siç po zhvillojmë edhe shumë projekte të tjera në territorin e Kosovës, përfshirë edhe shumë projekte që kemi realizuar në veriun e Kosovës gjatë këtyre viteve”, tha ai.

Në anën tjetër, nga Ambasada gjermane i kanë kërkuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti të mos i ndërtojë urat, derisa i kanë sugjeruar të investojë në arsim dhe sigurime shëndetësore.

Related Articles