Në mungesë të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputeten, Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.
Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, tha se për të akuzuaren Pacolli – Dalipi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën ashtu siç duhet pasi që urdhëresa ka qenë për datën e sotme, ndërsa gjykata ka pranuar një raport ditën e djeshme se e akuzuara nuk ka qenë në vendbanimin e saj.
Lidhur me këtë, Sadikaj tha se për të akuzuarën Pacolli – Dalipi do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, raporton Betimi për Drejtësi.
Në këtë seancë, prezent ishin i akuzuari Xhelal Sveçla me avokatin e tij Laur Prenaj, e akuzuara Drita Millaku me avokatin e saj Veton Robaj, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit- avokati Lavdrim Salihu, si dhe i akuzuari Salih Zyba i cili kërkoi nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve. Po ashtu, prezent ishte edhe prokurori Valdrin Krasniqi.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.